Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar dënimin me 10 vite burg për ish-kreun e ARRSH, Ervis Berberin, i akuzuar për shkelje të barazisë në tendera në 5 episode, korrupsion pasiv në 6 episode dhe pastrim parash në 1 episod. Sipas kërkesës së prokurorisë, për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi pritet të reduktohet me një të tretën, duke shkuar rreth 6.8 vite burg, ndërsa është kërkuar edhe ndalimi për 5 vite nga ushtrimi i funksioneve publike.
Gjithashtu SPAK kërkon konfiskimin e pasurisë dhe të shumave të sekuestruara, 15 mijë euro, 35 mijë paund dhe 1 milion lekë.
Sipas hetimeve të SPAK, Ervis Berberi është i përfshirë në 8 tendera me vlerë rreth 5 milionë euro, ndërsa kompania “DAAM” e lidhur me të dyshohet se ka përfituar kontrata dhe është përdorur për transaksione financiare dhe blerje pasurish. Hetimet përfshijnë gjithashtu lëvizje parash nga “Net Group” drejt kësaj kompanie, ndërsa për Gjylin dhe Elezin prokuroria ngre akuza për favorizim në tendera, skualifikim të ofertave konkurruese dhe certifikim dokumentesh që nuk pasqyronin gjendjen reale të projekteve publike.
Berberi akuzohet për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”. Ortaku i ish-kreut të ARRSH-së, Valter Begaj akuzohet për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim. Ervis Lame akuzohet gjithashtu për të njëjtat vepra penale.
Në të njëjtën dosje, SPAK ka kërkuar 1.6 vite burg për ish-drejtorin e ARRSH, Gentian Gjylin, i akuzuar për 2 episode të shkeljes së barazisë në tendera, si dhe ndalim 5-vjeçar për funksione publike. Po ashtu, për ish-drejtorin e KESH, Erald Elezin, është kërkuar po 1.6 vite burg për shkelje të barazisë në tendera, gjithashtu me ulje të dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe ndalim 5-vjeçar nga funksionet publike.