Avokati Altin Goxhaj ‘rrëmbehet’ me forcë nga policia

Shkruar nga: U Tafa | Publikuar më: 17.04.2026, 00:41

Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e së enjtes në Tiranë, ku avokati Altin Goxhaj është marrë me forcë nga efektivë policie, në rrethana që kanë shkaktuar indinjatë dhe reagime të shumta.

Sipas dëshmitarëve që ndodheshin pranë tij, Goxhaj po lëvizte me taksi drejt një podcasti, kur rruga është bllokuar nga një patrullë policore me punonjës pa numra identifikimi. Në momentin që situata është filmuar, ndërhyrja është bërë e menjëhershme dhe me tone agresive.

Avokati Altin Goxhaj është nxjerrë me forcë nga automjeti dhe është futur në makinën e policisë, ndërsa personi tjetër që ndodhej me të është shoqëruar në të njëjtën mënyrë. Brenda automjetit policor, sipas dëshmive, ndaj tyre është ushtruar dhunë fizike dhe u janë vendosur prangat.

Një tjetër moment shqetësues ka qenë marrja me forcë e telefonit personal të avokatit, mjet i domosdoshëm për ushtrimin e profesionit të tij dhe komunikimin me klientët.

Ngjarja ka sjellë reagime të forta, pasi shumë qytetarë e shohin këtë si një akt presioni ndaj një avokati dhe zëri kritik në jetën publike. Mënyra e ndërhyrjes, përdorimi i forcës dhe mungesa e identifikimit të efektivëve kanë ngritur shqetësime serioze për respektimin e të drejtave themelore dhe standardeve ligjore.

Rasti pritet të ketë jehonë të gjerë, ndërsa kërkohet zbardhje e plotë e ngjarjes dhe përgjegjësi për çdo shkelje të kryer.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit