Një zjarr i madh ka shpërthyer në një objekt industrial në pronësi të prodhuesit kinez të automjeteve elektrike BYD, në qytetin Shenzhen të provincës Guangdong.
Sipas kompanisë, zjarri ka nisur në një parking brenda një parku industrial në një zonë që përdorej për “automjete testuese”.
BYD njoftoi se flakët janë shuar dhe nuk janë raportuar të lënduar.
Pamje nga vendngjarja tregojnë tym të dendur të zi që ngrihej në ajër dhe flakë që përfshinin një pjesë të madhe të një ndërtese shumëkatëshe.
Sipas informacioneve paraprake, zjarri dyshohet të ketë nisur gjatë punimeve ndërtimore, kur izolimi i një garazhi me automjete elektrike është përfshirë aksidentalisht nga flakët.
Aksionet e kompanisë shënuan një rënie të lehtë prej 0.6% pas raportimit të incidentit.
Ekspertët vënë në dukje se automjetet elektrike mund të digjen ndryshe nga ato me motor me djegie të brendshme, shpesh me zjarre më të vështira për t’u shuar dhe me rrezik të rindezjes.