Lavdëruan në rrjetet sociale autorët e sulmeve në shkolla, Turqia arreston 83 persona

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 16.04.2026, 14:18

Autoritetet në Turqi kanë urdhëruar arrestimin e 83 personave, të dyshuar për publikime në internet lidhur me dy sulme me armë në shkolla që tronditën vendin këtë javë.

Sipas policisë, personat e ndaluar akuzohen se kanë shpërndarë përmbajtje që “lavdëron krimin dhe autorët e tij”, si dhe se kanë ndikuar negativisht në rendin publik. Në kuadër të hetimeve, autoritetet kanë bllokuar aksesin në 940 llogari në rrjete sociale dhe kanë mbyllur 93 grupe në platformën Telegram.

Ngjarjet që shkaktuan reagimin e gjerë ndodhën brenda pak ditësh. Të paktën nëntë persona humbën jetën në një sulm me armë në një shkollë në jug të Turqisë, ndërsa një ditë më parë 16 të tjerë u plagosën në një tjetër incident të ngjashëm në një shkollë të mesme në juglindje të vendit.

Në sulmin më vdekjeprurës në zonën e Kahramanmaraşit, tetë nxënës dhe një mësues u vranë, ndërsa 13 persona të tjerë u plagosën, gjashtë prej tyre në gjendje kritike. Autori i dyshuar, një 14-vjeçar, u vra gjatë ndërhyrjes në vendngjarje.

Zyra e prokurorit në Kahramanmaraş bëri të ditur se hetimet sugjerojnë se sulmi ishte planifikuar paraprakisht. Në materialet dixhitale të sekuestruara është gjetur një dokument i datës 11 prill 2026, ku dyshohet se përshkruhej synimi për një sulm të madh në të ardhmen e afërt.

Po ashtu, autoritetet thanë se i dyshuari kishte referenca ndaj vrasësit masiv amerikan Elliot Rodger në profilin e tij në WhatsApp.

Mediat turke raportojnë se sulmuesi, i cili dyshohet të ketë qenë nxënës, hyri në dy klasa i armatosur me pesë armë dhe shtatë karikatorë.

Sulmet në shkolla janë regjistruar dy herë brenda javës në Turqi. Në një tjetër incident të ndodhur në distriktin Siverek, 16 persona u plagosën kur një ish-nxënës hapi zjarr në një shkollë profesionale, përpara se të vriste veten. Guvernatori lokal tha se sulmuesi qëlloi “pa dallim” me armë gjahu.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit