Prokuroria e Tiranës ka zbardhur një skemë të gjerë mashtrimi ndërkombëtar të operuar përmes disa call-center-ash në kryeqytet, ku qytetarë të vendeve të Bashkimit Europian janë mashtruar me premtime për rikuperim humbjesh dhe investime në bursa fiktive. Sipas hetimeve 2-vjeçare, dëmi ekonomik i shkaktuar kap shifrën mbi 50 milionë euro. Operacioni, i zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet austriake, Europol dhe Eurojust, çoi në arrestimin e 7 personave me masën “arrest me burg”, 2 të tjerë në “detyrim paraqitje” dhe “ndalim jashtë shtetit”, si dhe 5 persona të arrestuar në flagrancë.
Nga hetimet rezulton se shtetasit Eduard Dalla, Mateo Hoxha, Tedi Agastra, Ledio Toçi, Xhoel Mekolli, Marsel Lami, Xhoji Hitaj, Aida Vokli., Ledjon Cenaj, K.D., E.H., E.T., B.B., K.B., K.Sh dhe A.K., operonin në grupe të organizuara sipas gjuhëve të huaja (gjermanisht, anglisht, italisht), me 6-8 agjentë për grup dhe nën mbikëqyrjen e drejtuesve. Ata kontaktonin viktimat dhe i bindnin të hapnin llogari në platforma të rreme si “Coin Baze”, duke kërkuar një pagesë fillestare prej 500 eurosh. Operatorët paguheshin rreth 800 euro në muaj dhe përdornin pseudonime për të fshehur identitetin. Hetimet zbuluan gjithashtu lëvizje të konsiderueshme financiare në kriptovaluta, ku shtetasit Tedi Agastra dhe Mateo Hoxha dyshohet të kenë qenë përfituesit fundorë të këtyre fondeve.
Në kuadër të operacionit u identifikuan disa subjekte të dyshuara si fiktive, përfshirë “IOTA Network”, “Victory Communication”, “Espiron Studio”, “Zeta Studio”, “Upstream Creative” dhe “Koppa Network”, të cilat rezultojnë të lidhura mes tyre përmes kontakteve dhe adresave të përbashkëta. Gjatë kontrolleve u sekuestruan 891,735 euro, 443 kompjuterë, 238 telefona celularë dhe pajisje të tjera elektronike. Sipas Prokurorisë, skema ka funksionuar nga qershori 2023 deri në korrik 2024, kryesisht duke mashtruar qytetarë në Austri, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.