Adresa fiktive dhe zyra sekrete, si funksiononte rrjeti i call center-ave të Xhonit dhe Marselit

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 16.04.2026, 12:36

Një tjetër skemë mashtrimi me “call center-a” del në sipërfaqe në Tiranë, duke nxjerrë në pah jo vetëm sofistikimin e rrjeteve, por edhe boshllëqet serioze në kontrollin institucional.

Në qendër të hetimeve janë Xhoni Hitaj (31 vjeç) dhe Marsel Lami (29 vjeç), të shpallur në kërkim me masë “arrest me burg” nga Gjykata e Tiranës. Ata dyshohet se qëndrojnë pas disa call center-ave mashtrues, të cilët funksiononin prej kohësh nën mbulesën e bizneseve të regjistruara formalisht, por me aktivitet real krejt tjetër.

Rasti i Hitajt ngre pikëpyetje edhe më të forta: një person me precedent penal për “vrasje me dashje” të mbetur në tentativë, që jo vetëm lëviz lirshëm, por arrin të administrojë disa subjekte biznesi. Sipas hetimeve, ai drejtonte të paktën dy call center-a, një pranë Rrugës së Kavajës dhe një tjetër pranë Kopshtit Zoologjik, të regjistruar me emra të ndryshëm, ndërsa dyshohet se pas tyre fshihej një rrjet më i gjerë, me figura ende të pakapura.

Edhe Marsel Lami rezulton të ketë ndjekur të njëjtin model: kompani të regjistruara në letër, me adresa fiktive dhe aktivitet të zhvendosur në terren për t’i shpëtuar kontrollit. Kjo skemë tregon qartë se sistemi i regjistrimit të bizneseve është përdorur si mburojë për aktivitete kriminale, pa një verifikim real të funksionimit të tyre.

Në këtë histori shfaqet edhe Xhoel Mekolli, i arrestuar, i cili sipas hetimeve ka punuar për vite në këto struktura, duke dëshmuar se aktiviteti nuk ishte sporadik, por i organizuar dhe i qëndrueshëm në kohë.

Ajo që bie më shumë në sy është vështirësia e hetuesve për të lokalizuar këto call center-a. Përdorimi i adresave të rreme dhe zhvendosja e vazhdueshme e aktivitetit i detyroi autoritetet të përdorin metoda të avancuara, si përgjime dhe pajisje gjurmuese, për të zbuluar vendndodhjet reale. Vetëm përmes këtyre mjeteve u arrit të dokumentohej se operatorët hynin në ambiente konkrete pranë Rrugës së Kavajës dhe zonës së Kopshtit Zoologjik.

Ky rast nuk është thjesht një goditje ndaj disa individëve, por një pasqyrë e qartë e mënyrës se si mashtrimi është institucionalizuar nën hundën e autoriteteve. Kur biznese të tëra operojnë me adresa fiktive, dhe persona me të kaluar kriminale administrojnë struktura të tilla për vite me radhë, problemi nuk qëndron vetëm te autorët – por edhe te sistemi që i ka lejuar të funksionojnë pa u shqetësuar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit