Pas dy ditësh pritjesh të gjata dhe mbingarkese në stacionet e autobusëve, situata në transportin urban po shkon drejt normalizimit. Shoqatat e transportit njoftuan se, pas një takimi me përfaqësues të qeverisë dhe bashkisë, është arritur një marrëveshje që shërbimi i transportit publik të rikthehet në kapacitet të plotë.
Çdo litër që do të konsumohet nga autobusët urbanë në Tiranë do të subvencionet nga shteti me 50 lekë për 3 muaj në vijim. Pas këtij premtimi të qeverisë, Shoqata e Transportit Urban njoftoi se rikthimin menjëherë, nga kjo e enjte, të normalitetit.
“Patëm një takim me ministren e Ekonomisë, ministrin e Infrastrukturës dhe nënkryetaren e bashkisë, u dakordësuam që transporti do të rikthehet në normalitet dhe do të ketë subvencion lekë për litër, por do të jetë në diskutim si vlerë. Nga sot do të vazhdojë transporti me kapacitet të plotë, se edhe operatorët duan ta ofrojnë shërbimin siç duhet për shkak të asaj që u pa këto dy ditë. Do të kemi edhe takim tjetër javën që vjen për të diskutuar kërkesat e tjera ekonomike, si TVSH, akcizë, kategoritë që udhëtojnë falas.”, shprehet shoqata.
Dakordësia u arrit pasi një takimi në orët e para të mëngjesit të përfaqësuesve të shoqatës me ministren e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ministrin e Infrastrukturës, Enea Karakaçi dhe kryetaren e komanduar të bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani.
Reduktimi me 40% i autobusëve, si pasojë e rritjes së çmimit të naftës dhe mungesës së subvencioneve, solli një situatë të rënduar për qytetarët, të cilët u detyruan të presin gjatë dhe të udhëtojnë në kushte të vështira. Presioni i krijuar duket se ka detyruar palët të ulen në bisedime dhe të gjejnë një zgjidhje të përkohshme për krizën.