Ngjarja e rëndë në Argostoli të Kefalonisë po merr përmasa edhe më tronditëse, teksa hetimet zbulojnë detaje që rëndojnë mbi personat që ndodheshin pranë 19-vjeçares shqiptare në momentet e fundit të jetës së saj.
Sipas burimeve hetimore, të rinjtë që e shoqëronin vajzën dyshohet se jo vetëm nuk i erdhën në ndihmë, por u përpoqën të distancoheshin nga ajo, duke pretenduar para kalimtarëve dhe më pas edhe para autoriteteve se nuk e njihnin. Edhe pse ajo ndodhej pa ndjenja pranë tyre, ata mbajtën të njëjtin qëndrim.
Një prej të përfshirëve ishte shqiptar. 23-vjeçari ka telefonuar urgjencën, por ka dhënë një vendndodhje të pasaktë, duke deklaruar se kishte gjetur rastësisht një vajzë të pavetëdijshme në rrugë. Ky version u rrëzua shpejt, pasi gjurmimi i telefonatës e lidhi drejtpërdrejt me vendin real ku ndodhej viktima.
Në vendngjarje ishin edhe dy persona të tjerë, mes tyre një 26-vjeçar me të shkuar problematike, i njohur për autoritetet për incidente të mëparshme që përfshijnë dhunë, kërcënime dhe çështje droge. Ai rezulton të ketë qenë dikur sportist në peshëngritje, por tashmë nuk ka më lidhje me aktivitetin sportiv.
Dëshmitë tregojnë se, pasi gjendja e 19-vjeçares u përkeqësua, ajo është nxjerrë jashtë nga godina dhe është lënë në një park aty pranë. Pamje filmike dyshohet se dokumentojnë momentin kur ajo transportohet në krahë nga një prej të rinjve. Më pas, ata janë larguar, duke u përpjekur të mbulojnë çdo lidhje me ngjarjen.
Një tjetër element që rëndon hetimin është dëshmia e një gruaje, e cila ka denoncuar se në vitin 2022 i njëjti 26-vjeçar dyshohet se i kishte hedhur një substancë në pije, duke e lënë pa ndjenja. Sipas saj, edhe raste të tjera të ngjashme mund të ekzistojnë.
Autoritetet po analizojnë komunikimet nga disa pajisje elektronike për të rindërtuar me saktësi çfarë ndodhi atë natë. Rasti ka shkaktuar reagime të forta dhe ka tronditur opinionin publik në Greqi dhe më gjerë, ndërsa pritet që hetimet të zbardhin përgjegjësitë konkrete të secilit prej të përfshirëve.