Gjykata e Kasacionit në Itali ka lënë në fuqi dënimin me 30 vite burg për 41-vjeçaren shqiptare Elona Kalesha, e shpallur fajtore për vrasjen e dyfishtë të Teuta dhe Shpëtim Pasho, prindërit e ish-të dashurit të saj. Me këtë vendim, bie përfundimisht edhe ankesa e mbrojtjes, duke vulosur një nga çështjet më të rënda kriminale të ndodhura në Firence në vitin 2015.
Sipas dosjes hetimore, çifti Pasho u zhduk më 1 nëntor 2015 dhe personi i fundit që i kishte parë gjallë ishte pikërisht Kalesha. Për vite me radhë nuk pati asnjë gjurmë, deri në dhjetor të vitit 2020, kur eshtrat e tyre u zbuluan rastësisht nga një pensionist në një zonë të hapur. Identifikimi u bë i mundur falë një tatuazhi në trupin e Shpëtim Pashos, konkretisht një spirancë në krah.
Prokuroria italiane ka ngritur dyshimet se Elona Kalesha i ka vrarë prindërit e ish-partnerit në një apartament në Via Fontana, ndoshta me ndihmën e një personi tjetër, dhe më pas ka fshehur trupat në valixhe për t’i hedhur në një zonë pranë Sollicciano. Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Itali dhe Shqipëri, ndërsa vendimi i fundit i drejtësisë italiane mbyll përfundimisht procesin gjyqësor ndaj saj.