7,5 ton kokainë nga Amerika Latine! Soluna në Shëngjin dhe Hotel Oxford në Tiranë, bizneset me paratë e drogës që iu sekuestruan Mir Pepës

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 16.04.2026, 09:16

Një goditje e gjerë ndaj pasurive të dyshuara me origjinë kriminale është ndërmarrë me urdhër të SPAK, ku në shënjestër ka qenë grupi i drejtuar nga Jetmir Pepa. Në total janë sekuestruar 232 prona, me një vlerë të përllogaritur rreth 12 milionë euro.

Mes aseteve të bllokuara bie në sy një hotel me 4 yje në qendër të Tiranës, në rrugën “Xhorxhi Martini”, i njohur për stilin e tij të rafinuar që ndërthur elementë klasikë dhe modernë. Kompleksi ofronte ambiente të ndryshme shërbimi, nga bar-koktej me tarracë panoramike dhe lounge-café, deri te hapësira relaksi, kantinë vere nëntokësore për degustime, si dhe facilitete si palestër dhe sauna.

Lista e pasurive përfshin edhe një klinikë estetike luksoze në kryeqytet, “Maison Nuvé Aesthetics”, e vendosur në kompleksin River Residence. Ajo ofronte trajtime të avancuara estetike, duke përfshirë procedura si hydrafacial, peeling kimik, mezoterapi, filler, microneedling dhe trajtime me lazer.

Në bregdet, është vendosur nën sekuestro edhe një nga klubet më të frekuentuara të jetës së natës në Shëngjin, “Soluna”, i pozicionuar pranë detit dhe i njohur për fluksin e lartë të të rinjve gjatë sezonit turistik.

Sipas akuzave, Jetmir Pepa dyshohet për përfshirje në trafikun ndërkombëtar të drogës, konkretisht në dërgimin e rreth 7.5 tonë kokainë nga Amerika Latine drejt Europës. Sekuestrimet janë miratuar nga GJKKO dhe konsiderohen si një nga ndërhyrjet më të mëdha ndaj aseteve të këtij grupi.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit