Edhe sot pa autobusë! Merrni masat pasi do ju duhet të ecni në këmbë

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 16.04.2026, 09:05

Dita e dytë e ka gjetur transportin publik në Tiranë dhe në disa qytete të vendit me shërbim të reduktuar ndjeshëm, ndërsa operatorët presin ende një përgjigje nga institucionet për kërkesat e tyre financiare. Autobusët po qarkullojnë vetëm në 40–60% të kapacitetit, duke krijuar vështirësi për qytetarët që mbështeten tek ky shërbim çdo ditë.

Pas një mbledhjeje të zhvilluar mes operatorëve dhe shoqatave të transportit, është vendosur që reduktimi të vijojë edhe sot, ndërsa paralajmërohet se situata mund të përkeqësohet nëse nuk ka reagim nga qeveria. Përfaqësuesit e sektorit theksojnë se kërkesa kryesore mbetet kompensimi i rritjes së çmimit të naftës, deri në 100 lekë për litër.

Në Tiranë, numri i autobusëve në qarkullim ka rënë ndjeshëm, nga rreth 200 në vetëm 115 mjete në ditën e parë të protestës. Ndërkohë, në qytete të tjera si Durrësi, Vlora apo Berati, reduktimi i shërbimit arrin deri në 60%.

Sipas operatorëve, shtrenjtimi i karburantit ka rritur kostot deri në 800 mijë euro në muaj, duke e bërë të pamundur funksionimin normal pa mbështetje. Ata kërkojnë një paketë ndihme për 6 muaj, me një fond rreth 3 milionë euro, të ngjashëm me skemën e përdorur gjatë krizës së vitit 2022.

Përveç kompensimit, sektori kërkon edhe lehtësira fiskale, si heqja e akcizës dhe taksës së qarkullimit për karburantin, si dhe uljen e TVSH-së. Megjithatë, pavarësisht kërkesave të dorëzuara prej fillimit të prillit, institucionet nuk kanë dhënë ende një përgjigje, duke lënë të hapur mundësinë e një përshkallëzimi të situatës në ditët në vijim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit