Bayern Munich është kualifikuar në gjysmëfinalen e Champions League pas një nate të jashtëzakonshme në “Allianz Arena”, ku mposhti Real Madridin 4-3, duke vulosur kualifikimin edhe falë fitores 2-1 në ndeshjen e parë.
Sfida në Mynih nisi me ritëm të furishëm dhe me gol që në start. Arda Güler përfitoi nga një gabim i Manuel Neuer për të kaluar Realin në avantazh, por Bayern reagoi menjëherë dhe barazoi pas vetëm pesë minutash me Pavlović.
Në minutën e 29’, Güler realizoi sërish për madrilenët me një gol spektakolar nga goditja e dënimit, ndërsa Harry Kane riktheu baraspeshën në minutën e 38’. Pak më vonë, Kylian Mbappé shënoi për 3-2, duke e mbyllur pjesën e parë me Realin në avantazh.
Ndeshja u ndërlikua për “Los Blancos” në minutën e 86’, kur Camavinga u ndëshkua me karton të kuq. Bayern e shfrytëzoi menjëherë epërsinë numerike: Luis Díaz barazoi shifrat, ndërsa në sekondat e fundit Michael Olise realizoi golin vendimtar për 4-3.
Me këtë përmbysje dramatike, Bayern siguron kualifikimin në gjysmëfinale të Champions League, ku do të përballet me PSG-në, ndërsa Real Madrid eliminohet sërish në çerekfinale.