Pak ditë më parë, një qytetare ngriti shqetësimin për gjendjen e rrezikshme në ambientet e Pallatit të Kulturës në Laç, ku ndodhet edhe zyra e aplikimeve për dokumente identifikimi (IDENTITEK).
Sipas saj, prej disa kohësh xhamat e jashtëm të godinës janë thyer, duke paraqitur një rrezik serioz për qytetarët, veçanërisht për fëmijët. Ajo rrëfeu se gjatë kohës që po priste për të kryer procedurat e pasaportës së fëmijëve, djali i saj i vogël për pak sa nuk u lëndua nga xhamat e dëmtuar.
“M’u ngrit gjaku kur e pashë, mjafton një moment dhe mund të ndodhë një tragjedi”, shprehet qytetarja, duke theksuar rrezikun e vazhdueshëm që krijon kjo situatë.
Ndërkohë, një tjetër qytetar ka denoncuar sot edhe një problem tjetër: mbylljen e parakohshme të zyrave të aplikimeve.
Sipas tij, në derë është e afishuar se orari zyrtar i punës është nga ora 08:00 deri në 16:00, por sot zyra është mbyllur që në orën 13:30.
Ai thotë se raste të tilla ngrenë shqetësimin për abuzimet e shpeshta me oraret në institucionet shtetërore, duke penalizuar qytetarët që presin të marrin shërbimet për të cilat kanë të drejtë.
Mbyllja para kohe e zyrave, mungesa e përgjegjshmërisë dhe kushtet e papërshtatshme të sigurisë tregojnë për nevojën urgjente të ndërhyrjes dhe kontrollit nga autoritetet përkatëse.