Frika nga dekonspirimi duket se theu heshtjen brenda një prej call center-ave mashtruese në Tiranë, ku një punonjëse vendosi të bashkëpunojë me hetuesit dhe të tregojë gjithçka që dinte. E “penduar”, ajo rrëfeu me detaje mënyrën se si funksiononte skema: nga sigurimi i kontakteve të qytetarëve të huaj që kishin rënë më parë pre e mashtrimeve, deri te rolet e ndara brenda strukturës dhe teknikat që përdoreshin për t’u marrë paratë. Dëshmia e saj rezultoi kyçe, pasi jo vetëm që zbardhi mekanizmin e mashtrimit, por edhe identifikoi personin që qëndronte në krye të rrjetit.
Sipas burimeve hetimore, punonjësja udhëhoqi grupin drejt zyrës së Granit Pepnikajt, i konsideruar si “truri” i rrjetit të call center-ave. Zyra ndodhej brenda ambienteve të vetë call center-it dhe ishte e njohur për stafin, pasi aty hynin e dilnin persona me role drejtuese. Gjatë kontrollit, hetuesit sekuestruan pajisje të rëndësishme, përfshirë kompjuterin personal të Pepnikajt, i cili pritet të përmbajë të dhëna të vlefshme mbi aktivitetin kriminal, komunikimet dhe rrjedhën e parave. Dyshohet se ai nuk ndodhet aktualisht në Shqipëri, ndërsa ndaj tij pritet të lëshohet urdhër arresti.
Nga dëshmia e punonjëses dhe provat e mbledhura, u kuptua se rrjeti funksiononte në mënyrë të organizuar, me operatorë që kontaktonin viktima në vende të ndryshme të Europës, duke u premtuar rikuperimin e parave të humbura në këmbim të pagesave fillestare. Procesi vijonte me kërkesa të tjera financiare, derisa viktimat zhvatëshin plotësisht. Paratë kalonin në forma të vështira për t’u gjurmuar, kryesisht nëpërmjet kriptovalutave, ndërsa komunikimet mes drejtuesve dhe stafit bëheshin përmes aplikacioneve të koduara. Rrëfimi i saj u dha hetuesve një panoramë të qartë të gjithë skemës dhe një avantazh të madh për të çmontuar një rrjet që dyshohet se ka përfituar miliona euro nga mashtrimi ndërkombëtar.