Policia Kombëtare spanjolle ka zbardhur një histori të errët që ngjan më shumë me skenar filmash kriminalë, por që përfundoi tragjikisht për 31-vjeçarin shqiptar Miklovan Dakaj, trupi i të cilit u gjet i fshehur brenda një thesi në rezervuarin Casasola, në Almogía të Málaga-s. Ngjarja e raportuar për herë të parë në mediat kombëtare dhe ndërkombëtare nga redakisa e JOQ Albania.
Pas muajsh hetime, autoritetet kanë arritur në përfundimin se Dakaj ra pre e një kurthi të mirëorganizuar, në kuadër të një larjeje hesapesh që lidhet me trafikun ndërkombëtar të drogës. Gjithçka nisi me një telefonatë nga persona të njohur, të cilët i propozuan një takim për një transaksion. Një takim që rezultoi fatal.
Mbrëmjen e 12 majit 2025, pasi u nda nga partnerja e tij në Marbella, Dakaj u nis drejt një pike takimi në zonën Puerto de la Torre. Aty hipi në një automjet me dy persona të tjerë dhe që nga ai moment, humbi çdo gjurmë. Hetimet zbuluan se ai u dërgua në një zonë të izoluar pranë rezervuarit, ku dyshohet se u ekzekutua me gjakftohtësi. Pas denoncimeve dhe interesit të familjarëve për fatin e njeriut të tyre të afërt, në familjen e Dakajt në Shqipëri erdhi dhe një mesazh nga një i panjohur, "Djali juaj është vrarë, mos e kërkoni"!
Për të zhdukur provat, autorët e lidhën trupin me lidhëse plastike, e futën në një thes dhe e rënduan me blloqe çimentoje, duke e hedhur në ujë. Por plani i tyre dështoi pjesërisht: rënia e nivelit të ujit pas verës bëri që kufoma të dilte në sipërfaqe, duke zbuluar një krim që ishte menduar të mbetej i fshehur.
Nga gjurmimi i një automjeti të marrë me qira, hetuesit arritën të zbërthejnë zinxhirin e autorëve. Në Barcelonë u arrestuan dy shtetas shqiptarë, të moshës 36 dhe 45 vjeç, të cilët konsiderohen si ekzekutorët kryesorë, si dhe një grua spanjolle 58-vjeçare, e dyshuar se ndihmoi në realizimin e planit duke siguruar mjetin.
Të tre ndodhen në paraburgim, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar lidhjet e plota të kësaj vrasjeje me rrjetet e trafikut ndërkombëtar të drogës. Policia spanjolle pritet të vijojë hetimet për të gjetur edhe porositësit e vrasjes së 31-vjeçarit.