Cilësia e ndërtimit në shumë raste në Tiranë është vënë prej kohësh në pikëpyetje, dhe zjarri që përfshiu një pallat në kompleksin “Arlis” vetëm sa e rikthen debatin me forcë në vëmendje. Ndërkohë që banorët kanë mbetur pa banesa dhe në pasiguri të plotë, policia u mjaftuar me shpallje në kërkim të Armand Lilos, koka që qëndron pas Arlis Ndërtim përgjegjës për ndërtimin e kompleksit që u shkrumbua sikur të ishte karton. Lilo, kunati i socialistit Fatmir Xhafa po kërkohet nga policia, teksa ka gjetur kohë të bëjë një postim në Facebook.
Duke shprehur soliadaritet për një ngjarje ku duhej të reagonte që në momentin që ndodhi, kompania bën me dije se për punimet e fasadës janë angazhuar kompani të specializuara dhe të regjistruara ligjërisht, të cilat kanë marrë përsipër realizimin e tyre sipas standardeve përkatëse. Kompania deklaron se, sipas të dhënave paraprake, nuk mban përgjegjësi ligjore për ngjarjen, ajo angazhohet që në kuadër të përgjegjësisë sociale të mbulojë shpenzimet për rindërtimin e plotë të fasadës dhe rikthimin e apartamenteve të dëmtuara në gjendjen e mëparshme. Një deklaratë që, në vetvete, përpiqet të mbyllë fsheh çdo shkelje duke përmendur gjoja transparencën, ndërkohë që banorët përballen me realitetin shumë më të thjeshtë të humbjes së shtëpive.
Në këtë histori që ende po zhvillohet, mbetet e hapur edhe çështja e përgjegjësive reale në zinxhirin e ndërtimit dhe kontrollit, ndërsa institucionet janë nën presion për të sqaruar jo vetëm se çfarë ndodhi, por edhe pse një godinë e konsideruar në rregull përfundoi e shkrumbuar brenda pak orësh. Për banorët, ndërkohë, çdo deklaratë tingëllon gjithnjë e më e largët nga ajo që po përjetojnë realisht, pasiguri, humbje dhe pritje, ndërsa përgjigjet zyrtare mbeten ende në fazën e formulimeve.