Xhoel Mekolli, operatori i Call-Center-ave që u bë ‘kokë’ skeme dhe që i shpëtoi policisë

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 15.04.2026, 12:19

Detaje të reja janë zbardhur nga dosja hetimore e Prokurorisë së Tiranës për rrjetin e dyshuar të call-center-ave që akuzohet se ka mashtruar qytetarë të Bashkimit Europian, kryesisht në Austri dhe Gjermani, me dëme që dyshohet se arrijnë në dhjetëra milionë euro. Në qendër të hetimeve përmendet edhe 29-vjeçari Xhoel Mekolli, i cili sipas materialeve të dosjes ka nisur aktivitetin si operator telefoni përpara se të dilte në skemën më të gjerë të hetuar nga autoritetet.

Sipas të dhënave të përfshira në hetim, Mekolli dyshohet se ka punuar fillimisht në kompaninë “Gama Network”, në pronësi të Fisnik Nezajt, me një rol si operator i thjeshtë telefonik, ndërsa më pas emri i tij del i lidhur me një rrjet më të gjerë strukturash call-center si “Iota Network”, “Victory Communication”, “Espiron Studio” dhe “Zeta Studio”. Hetuesit dyshojnë se këto kompani janë përdorur në mënyrë të përsëritur për mashtrime online, duke u hapur, shitur dhe pezulluar brenda periudhash të shkurtra, si pjesë e një skeme që synonte fshehjen e gjurmëve financiare dhe operative.

Në kuadër të operacionit policor janë sekuestruar rreth 1 milion euro cash dhe pajisje kompjuterike, ndërsa janë lëshuar masa sigurie për disa persona të tjerë të dyshuar si pjesë e rrjetit. Hetimet, të nisura pas informacioneve të ardhura nga autoritetet austriake dhe gjermane, vijojnë për të zbardhur rolin e secilit prej të përfshirëve dhe mënyrën e funksionimit të plotë të skemës, e cila dyshohet se ka gjeneruar të ardhura të paligjshme në shkallë të gjerë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit