Rritje e fortë e çmimeve: Shqipëria “europianizohet” më shpejt se pagat

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 15.04.2026, 11:51

Shqipëria është vendi që i është afruar më shpejt nivelit të çmimeve të Bashkimit Europian në 10 vitet e fundit, duke u bërë njëkohësisht më i shtrenjti në Rajonin e Ballkanit Perëndimor, sipas të dhënave të Eurostat.

Në vitin 2015, niveli i përgjithshëm i çmimeve në Shqipëri ishte sa 48.3% e mesatares së BE-së, duke e renditur vendin ndër më të lirët në rajon. Por në vitin 2024 ky tregues u rrit në rreth 70.6%, duke e zhvendosur Shqipërinë nga fundi i listës në krye të vendeve më të shtrenjta në rajon.

Sipas Monitor, kjo rritje e fortë e çmimeve ka ndodhur në një periudhë kur pagat dhe pensionet nuk kanë ndjekur të njëjtin ritëm, duke e bërë koston e jetesës gjithnjë e më të rëndë për familjet shqiptare. Në disa kategori, sidomos ushqimet, çmimet kanë arritur madje edhe mesataren e Bashkimit Europian.

Ndërkohë, vendet e tjera të rajonit kanë pasur rritje më të ngadaltë të çmimeve, duke mbetur më të lira se Shqipëria. Serbia dhe Mali i Zi ndjekin një trend rritës, por më të moderuar, ndërsa Bosnja dhe Maqedonia e Veriut mbeten ndër më të lirat në Ballkan.

Diferenca e çmimeve ka sjellë edhe sjellje të reja konsumatore, ku shumë qytetarë shqiptarë blejnë karburant, ushqime apo produkte të tjera bazë në vendet fqinje për të kursyer.

Në përgjithësi, të dhënat tregojnë një “europianizim” të shpejtë të çmimeve në Shqipëri, që nuk është shoqëruar me rritje të ngjashme të të ardhurave, duke rritur ndjeshëm presionin mbi buxhetet familjare.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit