Një nga zjarret më të mëdha të kohëve të fundit në Tiranë ka lënë pasoja të konsiderueshme në pallatin Mand Lilos të "Arlis Construction" në zonën e “Farmacisë 10”, ku dhjetra familje janë prekur drejtpërdrejt.
Sipas të dhënave paraprake, rreth 30 apartamente janë dëmtuar nga flakët që dyshohet se kanë nisur në katin e parë, në ambientet e Big Market paa djegies së kartonave të biznesit.
Pavarësisht se Rama ka detyruar Mand Lilon të rindërtojë pallatin prej bukë-peshku që u dogj, banorët kanë mdjekur dje këshillën e prefektit të Tiranës Shkëlqim Hajdari të flenë tek hallat dhe kushërinjtë, por sot janë në qiell të hapur, ende pa një plan konkret nga ana e qeverisë për strehim.
Banorët janë kapur në befasi, pasi zjarri mori përmasa të menjëhershme dhe u përhap me ritëm të shpejtë. Burimet bëjnë me dije se distanca mes burimit të zjarrit dhe fasadës ka qenë shumë e vogël, rreth një metër, çka mund të ketë ndikuar drejtpërdrejt në përhapjen e tij.
Sa i përket strukturës së jashtme të godinës, fasada me dy shtresa është dëmtuar rëndë. Shtresa e brendshme prej leshi xhami nuk është përfshirë nga flakët, ndërsa veshja e jashtme, kryesisht ajo me ngjyrë të bardhë, është shkrumbuar pothuajse plotësisht. Elementët me ngjyrë të kuqe duket se kanë rezistuar pjesërisht në disa zona.