Një ditë pas zjarrit që përfshiu pallatin e firmës "Arlis Construction" të ndërtuesit të pallateve, biznesmenit Armand Lilo, në zonën e “Farmacisë 10” në Tiranë, ka ardhur reagimi i Kryeministrit Rama, i cili ka dhënë detaje mbi hapat që pritet të ndërmerren pas ngjarjes.
Kreu i qeverisë bëri të ditur se godina e dëmtuar do të rindërtohet plotësisht nga vetë ndërtuesi.
Ai ndaloi gjithashtu te rëndësia e sigurimit të banesave, duke e cilësuar si një element thelbësor në raste të tilla emergjente.
“Pallati që u dogj dje në Tiranë, do të rindërtohet 100% nga vetë ndërtuesi, pavarësisht se nga të dhënat paraprake shkaku i zjarrit s’ka asnjë lidhje me vetë ndërtimin! Sepse ne nuk mund t’i lemë vetëm njerëzit e dëmtuar në pronën e tyre dhe nga ana tjetër, taksapaguesit nuk mund të paguajnë një dëm të cilin duhet ta paguanin sigurimet, rast kuptimplotë për të kuptuar të gjithë se sigurimi i shtëpisë nga fatkeqësitë është i domosdoshëm."