Vdekja tragjike e 19-vjeçares pas natës në hotel me 3 të rinj, mes tyre një shqiptar

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 15.04.2026, 10:36

Një ngjarje e rëndë ka tronditur ishullin e Kefalonisë në Greqi pasi një vajzë 19-vjeçare ka humbur jetën në qendër të Argostolit. Mediat greke, kanë zbardhur detaje shqetësuese nga orët e fundit të saj, ndërsa mes të arrestuarve është edhe një 22-vjeçar shqiptar.

Sipas burimeve policore, e reja kishte kaluar natën në një hotel së bashku me tre të rinj të moshave 23, 26 dhe 22 vjeç. Ajo kishte mbërritur aty rreth mesnatës me 23-vjeçarin. Më vonë, rreth orës 02:00, dyshohet se grupi konsumoi kokainë, e cila u sigurua nga 26-vjeçari, një ish-peshëngritës. Ky i fundit kishte sjellë edhe një sasi të dytë, duke u kthyer në hotel i shoqëruar nga 22-vjeçari shqiptar, i cili thuhet se nuk kishte përdorur lëndë narkotike.

Rreth orës 03:00, gjendja e vajzës u përkeqësua ndjeshëm dhe ajo humbi ndjenjat. Sipas dëshmive, tre të rinjtë e transportuan jashtë hotelit dhe e lanë në sheshin qendror të Argostolit në gjendje të pavetëdijshme, për t’u larguar më pas nga vendi i ngjarjes.

Pak më vonë, ekipet e urgjencës e gjetën pranë një lokali dhe e dërguan me urgjencë në spital. Edhe pse mbërriti me shenja jete, ajo ndërroi jetë rreth orës 05:15, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve.

Pamjet e kamerave të sigurisë, të analizuara nga policia, tregojnë një prej të rinjve duke e mbajtur në krahë, ndërsa dy të tjerët e ndjekin. Identifikimi i tyre u bë i mundur përmes regjistrimeve nga hoteli dhe zonat përreth.

Tre të rinjtë akuzohen për braktisje në kushte rreziku me pasoja fatale dhe pritet të dalin para prokurorisë. Ndërkohë, trupi i pajetë i 19-vjeçares është dërguar për autopsi në Patra, ndërsa analizat pritet të zbardhin shkaqet e sakta të vdekjes brenda dy javësh.

Një rol kyç në hetime ka 26-vjeçari, ish-sportist i suksesshëm në peshëngritje me medalje ndërkombëtare, i cili së fundmi ishte rikthyer në Argostoli pas një karriere premtuese.

Familja e viktimës kërkon drejtësi dhe sqarime për rrethanat e ngjarjes. Nëna e saj ka treguar për mediat greke se kishte folur me të bijën pak para ngjarjes dhe ishte e shqetësuar për shoqërinë e saj. Sipas saj, një nga të rinjtë kishte pranuar përmes një mesazhi se e kishin lënë vajzën vetëm në gjendje të rëndë.

Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht këtë ngjarje tragjike dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore të secilit të përfshirë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit