Janë lëshuar 11 urdhër-arreste nga SPAK për një grup të dyshuar për trafik droge.
Në qendër të hetimeve është Jetmir Pepa, i njohur ndryshe edhe si Mir Pepa, pronar i kompanisë së ndërtimit “Pepa Group”, i cili dyshohet si drejtues i këtij grupi kriminal. Sipas burimeve, urdhri i arrestit ndaj tij nuk është ekzekutuar, pasi ai ndodhet jashtë vendit.
Operacioni, i drejtuar nga prokurori Alfred Shehu, ka çuar në arrestimin e disa anëtarëve të dyshuar të grupit, ndërsa kontrollet vijojnë në disa zona të vendit.
Emri i Pepës nuk është i panjohur për publikun. Ai ka qenë më herët në qendër të vëmendjes edhe për një incident të bujshëm mes vajzave të ekranit, ku motrat Antonela dhe Marinela Berisha goditën me gotë në një restorant në ish-Bllok influenceren Klea Prenga, duke e kthyer ngjarjen në një debat të gjerë mediatik.
Ndërkohë, kompania e tij “Pepa Group” rezulton se ka përfituar rreth 70 milionë euro fonde publike nga buxheti i shtetit, çka e bën çështjen edhe më sensitive në aspektin e hetimeve.