Një grup i strukturuar kriminal me origjinë shqiptare është dënuar në Mbretërinë e Bashkuar, pasi realizoi një seri të gjerë vjedhjesh në banesa luksoze, duke përdorur mjete online për përzgjedhjen e objektivave.
Autoritetet britanike bëjnë me dije se banda ka kryer rreth 60 grabitje në zona të ndryshme, duke përfituar afërsisht 1 milion paund në sende me vlerë, si ora të shtrenjta, çanta dizajni dhe para në cash.
Nga hetimet rezultoi se anëtarët e grupit përdornin platformën “Rightmove” për të studiuar planimetrinë e shtëpive, pasi më parë identifikonin lagjet e pasura përmes kërkimeve në Google. Ata depërtonin kryesisht nga dritaret ose ballkonet e kateve të para, për të shmangur sistemet e alarmit.
Katër prej tyre – Kristian Gropcaj, George Pepa, Krisjian Dedndreaj dhe Sidorjan Lleshi – u shpallën fajtorë nga gjykata Chester Crown Court, duke marrë dënime që variojnë nga 9 vite deri në 10 vite e 9 muaj burg.
Ndërkohë, Endrit Nikolli pritet të përballet me drejtësinë në një fazë të mëvonshme, ndërsa partnerja e tij, shtetase britanike, është dënuar me kusht për përfshirje në posedim pasurie me origjinë kriminale.
Hetimi nisi në tetor 2024 nga policia e Cheshire, pas një serie grabitjesh në zona si Macclesfield, Prestbury dhe Weston. Më pas, përmes bashkëpunimit me struktura të tjera policore rajonale, u bë e mundur lidhja e rasteve në shkallë kombëtare.
Një ndër provat kyçe ishte gjurma e një atleteje të markës Primark, e gjetur në disa skena krimi, që ndihmoi në identifikimin e autorëve. Gjithashtu, analizat e ADN-së dhe të dhënat telefonike çuan në zbardhjen e plotë të aktivitetit kriminal.
Gjatë operacioneve, policia sekuestroi sende luksoze, ora me vlerë të lartë, telefona celularë, si dhe qindra fotografi të objekteve të vjedhura dhe komunikime që dëshmonin planifikimin e grabitjeve.
Sipas prokurorisë, grupi operonte me objektiva të qarta javore për sasinë e arit që duhej të përvetësonin, ndërsa në disa raste pozonin me sendet e vjedhura. Ata dyshohet të kenë vepruar në disa qarqe të Anglisë, përfshirë Derbyshire, Nottinghamshire, Birmingham dhe Staffordshire.
Gjykata theksoi se aktiviteti i tyre ka shkaktuar pasoja të rënda psikologjike te viktimat, duke cenuar ndjeshëm sigurinë në banesat e tyre.