Flakët shkrumbuan fasadën e pallatit në Tiranë, 30 apartamente të prekura

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 15.04.2026, 09:36

Zjarri i fuqishëm që përfshiu pallatin pranë Farmacisë 10 në Tiranë ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në rreth 30 apartamente. Flakët dyshohet se kanë nisur në katin përdhes të një biznesi dhe janë përhapur me shpejtësi drejt fasadës së ndërtesës.

Bilanci i plotë i dëmeve pritet të qartësohet në orët në vijim, por të dhënat paraprake tregojnë se disa banesa janë shkatërruar plotësisht, ndërsa të tjera kanë pësuar dëmtime të pjesshme.

Zjarri u përhap brenda pak minutash, duke mbuluar të gjithë pjesën e jashtme të godinës. Dyshimet e para tregojnë se vatra mund të ketë qenë në një hapësirë të jashtme ku ndodheshin mbeturina, ndërsa mbetet ende e paqartë nëse pranë kishte pajisje elektrike që mund të kenë ndikuar.

Banorët u përballën me situatën në mënyrë të papritur, për shkak të intensitetit dhe përhapjes së shpejtë të flakëve. Burimi i zjarrit mendohet të ketë qenë shumë pranë fasadës, në një distancë prej rreth një metri.

Shkaku i saktë i zjarrit nuk është përcaktuar ende. Shtresa e brendshme izoluese prej leshi xhami nuk është djegur, ndërsa veshja e jashtme është shkrumbuar pothuajse tërësisht, me disa pjesë që kanë rezistuar pjesërisht.

Situata aktualisht është nën kontroll dhe nuk ka rrezik për përhapje të mëtejshme të zjarrit. Të martën, 11 banorë morën ndihmë mjekësore në QSUT për djegie të lehta dhe probleme nga asfiksia, ndërsa një grua ndodhet në gjendje më të rëndë. Në operacionin e shpëtimit u angazhuan zjarrfikësit me tre autoshkallë, të mbështetur edhe nga forca nga Vora dhe Kamza, si dhe dy helikopterë Cougar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit