Çifti Pepnika dyshohet se qëndron pas call center-ave mashtruese në Tiranë!

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 15.04.2026, 10:31

Një operacion i gjerë policor në Tiranë ka goditur tre qendra call center të dyshuara për mashtrime ndaj qytetarëve të BE-së, kryesisht në Gjermani dhe Austri, duke sekuestruar rreth 1 milion euro cash dhe qindra pajisje kompjuterike. Hetimet, që kanë zgjatur rreth dy vite në bashkëpunim me autoritetet e huaja, kanë zbuluar një rrjet të organizuar që dyshohet se operonte në disa zona të kryeqytetit me dhjetëra operatorë.

Në kuadër të aksionit janë lëshuar masa sigurie për disa persona, mes tyre Eduart Dalla, Mateo Hoxha, Tedi Agastra, Ledio Toçi, Xhoel Mekolli, Marsel Lami dhe Xhoji Hitaj, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të skemës. Por hetimet nuk ndalen me kaq. Kjo pasi nga burime mësohet se ka dyshime të forta që në krye të kësaj skeme kriminale mashtrimi qëndron çifti Granit Pepnikaj dhe Anisa Kunxhiu Pepnikaj, persona të aluduar prej kohësh në media si të përfshirë në këto skema mashtrimi dixhitale, ku paratë e evropianëve kthehen në kompani fasadë, pasuri luksi dhe rrjedhë të qëndrueshme kapitali në Shqipëri.

POR KUSH ËSHTË ÇIFTI PEPNIKA?

Pak muaj parë u raportua se Anisa Kunxhiu Pepnika është truri i call center-ave mashtrues që vjedhin miliona euro nga qytetarë të Bashkimit Europian përmes platformave të rreme të investimeve online, ndërsa Granit Pepnika kontrollon aktivitetet e basteve të jashtëligjshme dhe është përgjegjës për pastrimin dhe investimin e fitimeve të siguruara nga kjo skemë. Të dy së bashku përbëjnë një strukturë të plotë kriminale, ku mashtrimet dixhitale kthehen në kompani fasadë, pasuri luksi dhe rrjedhë të qëndrueshme kapitali në Shqipëri.

Anisa Kunxhiu Pepnika është truri i skemave të vjedhjes me call center. Ajo nuk ka precedent penal të regjistruar, por sipas burimeve operative dhe dokumenteve, ka krijuar dhe menaxhon strukturën që koordinon call center-at mashtrues që targetojnë qytetarë të Bashkimit Europian me platforma të rreme investimi në forex dhe kriptovaluta. Përmes saj menaxhohet rekrutimi i stafit, rrjedha e fondeve, fshirja e gjurmëve dhe futja e tyre në kompani shqiptare në pronësi të saj ose të bashkëshortit. Kunxhiu Pepnika është gjithashtu personi që ka ngritur linjën e salloneve dhe markave luksoze që përdoren për të krijuar fasadën e suksesit dhe për të legalizuar shpenzimet e pashpjeguara.

Granit Pepnika është krahu ekzekutiv i pastrimit të fitimeve të vjedhura nga veprimtaria kriminale. Ai ka precedent penal të formës së prerë dhe është i dënuar për veprën penale “Vjedhje” sipas nenit 134/1 të Kodit Penal. Është shpallur fajtor nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr. 2866 datë 30.10.2017 për hyrje me forcë në banesa të banuara dhe vjedhje sendesh me vlerë të konsiderueshme. Vendimi është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr. 2400 datë 14.11.2018, ndërsa më 2 prill 2024 Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e tij, duke e bërë dënimin përfundimtar. Ky precedent e vendos Pepnikën në kategorinë e personave me rrezikshmëri të lartë kriminale. Granit Pepnika ka ngritur rrjetin e kompanive fasadë që përdoren për të injektuar fondet e përfituara nga aktivitetet mashtruese dhe për t’i legalizuar përmes investimeve në prona miliona euro, automjete dhe sallone luksi.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit