Stacionet plot pas reduktimit të autobusëve

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 15.04.2026, 09:47

Situata në transportin publik po shkon drejt një krize të paralajmëruar. Në shumë qytete, stacionet janë mbushur me qytetarë pas reduktimit të autobusëve në qarkullim, ndërsa operatorët paralajmërojnë se më e keqja mund të jetë ende përpara.

Shoqatat e transportit publik kanë ngritur shqetësimin se sektori po përballet me një rritje të fortë kostosh, kryesisht si pasojë e shtrenjtimit të karburantit dhe mungesës së mbështetjes nga institucionet shtetërore. Sipas tyre, nëse nuk merren masa urgjente, nga java e ardhshme mund të ndërpritet shërbimi për rreth 450 linja në të gjithë vendin.

Dy shoqatat kryesore të sektorit i janë drejtuar sërish institucioneve përgjegjëse, përfshirë ministritë e drejtuara nga Delina Ibrahimaj dhe Enea Karakaçi, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme dhe rikthimin e një skeme kompensimi për karburantin, të ngjashme me atë të vitit 2022.

Operatorët thonë se, megjithëse pas një takimi më 1 prill ishte premtuar një tjetër mbledhje më 7 prill, ajo nuk është zhvilluar dhe deri tani mungon çdo reagim zyrtar. Kjo, sipas tyre, ka rritur ndjeshëm pasigurinë financiare dhe ka vështirësuar vazhdimin normal të aktivitetit.

Në deklaratat e tyre, shoqatat theksojnë se jo vetëm karburanti, por edhe kostot e mirëmbajtjes dhe pjesëve të këmbimit janë rritur ndjeshëm. Ata kërkojnë një paketë emergjente mbështetëse, duke propozuar kompensim të naftës në nivelin 100 lekë për litër.

Pa një ndërhyrje të menjëhershme, paralajmërimi ka qenë i qartë... reduktim i flotës, ulje e frekuencës së linjave dhe në fund pezullim i shërbimit, me pasoja direkte për mijëra qytetarë që varen çdo ditë nga transporti urban dhe ndërurban.

Për të shmangur kolapsin, operatorët kërkojnë gjithashtu lehtësime fiskale, përfshirë uljen e akcizës, taksës së qarkullimit dhe TVSH-së, si masa të domosdoshme për stabilizimin e sektorit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit