Detaje të reja kanë dalë nga operacioni i gjerë i zhvilluar në Tiranë, ku u godit një skemë e dyshuar mashtrimi kompjuterik e organizuar përmes call center-ave, e cila dyshohet se funksiononte në disa pika të shpërndara në kryeqytet.
Gjatë ndërhyrjes së forcave të rendit, është zbuluar një aktivitet i strukturuar ku ambientet e punës ishin përshtatur në mënyrë të organizuar për kryerjen e mashtrimeve telefonike dhe online. Në disa prej këtyre hapësirave, janë gjetur sirtarë të mbushur me zarfa me para cash, çka ngre dyshime për qarkullim të vazhdueshëm të shumave të konsiderueshme financiare brenda skemës.
Në total, janë identifikuar 12 ambiente të përdorura për këtë aktivitet të paligjshëm, ndërsa në pranga kanë rënë 10 persona të dyshuar si të përfshirë drejtpërdrejt në funksionimin e rrjetit.
Në kuadër të operacionit janë sekuestruar rreth 891,735 euro para cash, të dyshuara si përfitime nga mashtrimet, si dhe një sasi e konsiderueshme pajisjesh elektronike: 443 kompjuterë, 238 celularë, 6 laptopë, si dhe pajisje të tjera teknologjike si hard disk (HDD) dhe DVR, të përdorura për komunikim dhe administrim të skemës.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se pajisjet e sekuestruara përmbajnë të dhëna të rëndësishme që pritet të ndihmojnë në identifikimin e rrjetit të plotë dhe mënyrës së funksionimit të tij, përfshirë edhe bashkëpunëtorë të mundshëm jashtë vendit.