Ish-minatori kritikon qeverinë në Samitin e Diasporës, patronazhistët i marrin mikrofonin

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 14.04.2026, 16:18

Një tjetër qytetar nga diaspora ka ngritur kritika të forta ndaj qeverisë gjatë Samitit të Diasporës që po zhvillohet në Tiranë, duke sjellë në vëmendje çështje të pazgjidhura prej vitesh për minatorët dhe pronat.

Ish-minatori nga Bulqiza ngriti si shqetësim kryesor mosmiratimin e statusit të minatorit, një premtim i përsëritur që prej vitit 2013 dhe që ende nuk është materializuar në ligj. Sipas tij, pavarësisht mbështetjes elektorale dhe pritshmërive të krijuara ndër vite, problemi ka mbetur i pazgjidhur.

Për të ilustruar mungesën e vëmendjes ndaj këtij profesioni, ai iu referua edhe një deklarate publike të deputetit socialist Vullnet Sinaj, i cili kishte bërë një krahasim mes minatorëve dhe balerinëve të operës, një koment që është konsideruar nga shumëkush si ofendues për punën e minatorëve.

“Kam punuar në minierën e Bulqizës. Statusi i minatorit është premtuar që në vitin 2013 dhe ende nuk është miratuar. I kemi dhënë besim dhe votë, por nuk ka ndryshuar asgjë. Më e rënda është kur puna e minatorit krahasohet me balerinat e operës, një fyerje e rëndë për këtë profesion,” u shpreh qytetari.

Ai ngriti gjithashtu shqetësime për Paketën e Maleve dhe çështjen e pronave, duke deklaruar se ka hasur vështirësi në përfitimin e pronave të trashëguara nga familja, pavarësisht kërkesave të përsëritura ndër vite.

Në përgjigje, ministri Taulant Balla u shpreh se Paketa e Maleve synon të adresojë pikërisht problematikat e krijuara ndër vite nga ligji 7501, duke theksuar nevojën për një zgjidhje përfundimtare të çështjeve të pronësisë.

Qytetari, në përfundim të fjalës së tij, theksoi se diaspora duhet të ketë më shumë hapësirë reale për t’u dëgjuar në këto forume, duke pretenduar se shpesh trajtohet si statistikë dhe jo si zë me ndikim.

Vlen të theksohet se gjatë ndërhyrjes së tij, pati tentativa për t’i ndërprerë fjalën, çka solli tension në sallë dhe reagime nga të pranishmit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit