Çmimet e qirave për apartamentet në Tiranë kanë vijuar rritjen edhe gjatë vitit 2026, duke u kthyer në një nga faktorët kryesorë që ndikojnë në inflacion, sipas të dhënave të INSTAT. Për muajin mars, grupi i qirave ka dhënë ndikimin më të madh në inflacion me 0.95 pikë përqindje, nga 2.6% që ishte rritja totale e çmimeve në ekonomi.
Sipas të dhënave zyrtare, pas qirave vjen sektori i transportit me 0.48 pikë përqindje ndikim në inflacion, ndërsa ushqimet dhe pijet alkoolike kontribuojnë me 0.44 pikë përqindje. Këto tre kategori janë identifikuar si faktorët kryesorë që kanë ushqyer rritjen e përgjithshme të çmimeve në vend gjatë kësaj periudhe.
Ndërkohë, vëzhgimet e tregut në Tiranë tregojnë se çmimet e qirave për apartamente afatgjata kanë shënuar rritje të ndjeshme në zona të ndryshme të kryeqytetit, duke arritur nivele më të larta se një vit më parë. Ekspertët e tregut theksojnë se kjo rritje lidhet si me kërkesën e lartë, ashtu edhe me shtimin e apartamenteve të dhëna për qira afatshkurtër, që kanë reduktuar ofertën për qira tradicionale.