Një qytetar i është drejtuar redaksisë sonë me një shqetësim serioz lidhur me mungesën e ndriçimit në tunelin e Murrizit, një segment që duhej të garantonte standarde sigurie, por që sot po kthehet në rrezik real për drejtuesit e mjeteve.
Pamjet e mbërritura tregojnë qartë një situatë alarmante: tuneli është i zhytur në errësirë, duke e bërë lëvizjen brenda tij tejet të vështirë dhe potencialisht të rrezikshme, sidomos në orët e mbrëmjes apo në kushte të vështira atmosferike.
Tuneli i Murrizit, që prej fillimit është shoqëruar me polemika dhe probleme të shumta, vijon të mbetet një shembull i dështimit në menaxhimin e infrastrukturës. Nga mungesa e një sistemi funksional aspirimi, te standardet e diskutueshme të ndërtimit, e deri te kjo situatë absurde pa ndriçim, lista e problematikave vetëm sa zgjatet.
Në vend që të kemi një vepër që garanton siguri dhe lehtëson qarkullimin, qytetarët përballen me një realitet ku elementët më bazë mungojnë. Dhe ndërsa flitet për investime dhe zhvillim, në terren duket se edhe dritat – në kuptimin më literal – janë fikur.