Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu deklaroi nga Elbasani se qyteti po përjeton një transformim të rëndësishëm dhe po shkon drejt një modeli të gjelbër, me ambicie që lidhen edhe me partneritete europiane.
Në letër, gjithçka duket si një histori suksesi: projekte, turizëm, transport publik dhe një Elbasan që ecën me hapin e kohës. Problemi është se, sapo del nga salla e konferencës dhe bën një xhiro të thjeshtë nëpër qytet, “transformimi” bëhet pak më i vështirë për t’u dalluar.
Sepse ndërkohë që flitet për standarde europiane, në terren të pret një realitet më kokëfortë: zona me mbetje, rrugë që lënë për të dëshiruar dhe një qytet që ende lufton me gjërat bazë. Pra, para se të flasim për modele të mëdha, duket se ka ende punë me… koshat e vegjël.
Dhe kur në këtë mes përmendet Amsterdami apo Madridi si pikë referimi, krahasimi tingëllon më shumë si humor i pavullnetshëm sesa si objektiv konkret. Jo se Amsterdami është pa probleme, por diferenca është aq e dukshme sa nuk mbulohet dot me fjalë të bukura.
Në fund, qytetet nuk bëhen “europiane” nga deklaratat në podium, por nga ajo që sheh qytetari çdo ditë poshtë dritares. Dhe derisa realiteti të ndryshojë, krahasime të tilla rrezikojnë të mbeten… më shumë meme sesa vizion.