Revista amerikane “People” ka publikuar së fundmi një artikull ku i referohet një paralajmërimi të Departamentit Amerikan të Shtetit për qytetarët amerikanë që udhëtojnë drejt Shqipërisë. Sipas këtij njoftimi, vizitorët këshillohen të tregojnë vigjilencë të shtuar, për shkak të një rreziku të mundshëm të lidhur me grupe të dyshuara që kanë lidhje me Iranin dhe që mund të synojnë individë apo struktura me interesa amerikane në vend.
Në paralajmërim theksohet se objektiva të mundshme mund të jenë vende të frekuentuara nga turistët, si qendra tregtare, hotele, restorante dhe zona të njohura urbane. Departamenti i Shtetit u rekomandon qytetarëve amerikanë të monitorojnë situatën, të jenë të vetëdijshëm për mjedisin përreth dhe të mbajnë mjetet e komunikimit të karikuara në rast emergjence. Shqipëria aktualisht klasifikohet në Nivelin 2 të këshillave të udhëtimit, që nënkupton “kujdes të shtuar”, kryesisht për shkak të çështjeve të përgjithshme të sigurisë dhe kriminalitetit.
Megjithatë, autoritetet shqiptare kanë sqaruar se nuk ka asnjë informacion konkret apo inteligjencë që konfirmon një kërcënim real për sigurinë në vend. Ministria e Brendshme ka theksuar pas konsultimeve me strukturat e antiterrorit dhe policisë se situata është e qetë dhe Shqipëria mbetet një destinacion i sigurt për qytetarët dhe turistët, ndërkohë që vendi vijon të shënojë rritje të ndjeshme të vizitorëve të huaj vitet e fundit.