Ish-kryetari i Bashkisë së New York, Eric Adams, është prezantuar si banori më i ri i njësisë nr. 2 në Tiranë, në një takim simbolik të zhvilluar në kryeqytet. Sipas njoftimeve lokale, ai është pritur në ambientet e njësisë administrative nga përfaqësues vendorë, të cilët e kanë cilësuar si një mik të komunitetit shqiptar, duke theksuar lidhjet e tij me diasporën shqiptare në SHBA dhe vizitat e mëparshme në Shqipëri që kanë forcuar marrëdhëniet e tij me vendin.
Eric Adams i është akorduar nënshtetësia me një dekret të posaçëm presidencial. Vendimi raportohet se është marrë jashtë procedurave standarde të natyralizimit dhe konsiderohet si një akt me karakter simbolik, i lidhur me bashkëpunimin dhe raportet e tij të ngushta me komunitetin shqiptaro-amerikan. Ky hap ka tërhequr vëmendje si në Shqipëri, ashtu edhe në SHBA, duke nxitur diskutime mbi mënyrën dhe arsyet e dhënies së shtetësisë.
Kujtojmë se në vitin 2025, gjatë kohës kur ishte ende kryebashkiak i New York-ut, Eric Adams u përfshi në polemika në SHBA pas vizitës së tij në Shqipëri ku u takua me Edi Ramën, pasi mungoi në ceremoninë përkujtimore të Departamentit të Zjarrfikësve të New York-ut (FDNY), një ngjarje e rëndësishme për qytetin dhe komunitetin e shërbimeve emergjente. Mungesa e tij u kritikua ashpër nga sindikata e zjarrfikësve, e cila e cilësoi “zhgënjyese dhe fyese”. Për më tepër, ai është përballur edhe me akuza dhe hetime federale për çështje të dyshuara korrupsioni dhe përfitime të paligjshme nga udhëtime të financuara nga subjekte të huaja, përfshirë dyshime që janë raportuar në media lidhur me udhëtime të sponsorizuara gjatë periudhave zyrtare. Këto zhvillime kanë shoqëruar karrierën e tij politike dhe kanë shtuar debatet mbi figurën e tij publike në SHBA.