Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka propozuar Eric Wendt si ambasadorin e ri amerikan në Shqipëri, sipas një njoftimi të publikuar nga Shtëpia e Bardhë mbi nominimet zyrtare të dërguara për miratim në Senat. Në deklaratë thuhet se Wendt është zgjedhur për postin e “Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Shteteve të Bashkuara në Republikën e Shqipërisë”.
Eric Wendt është një gjenerallejtënant në pension i ushtrisë amerikane, i lindur më 7 tetor 1964 në Berkeley, Kaliforni. Ai ka një karrierë mbi 34-vjeçare në shërbim aktiv dhe së fundmi ka shërbyer si komandant i pestë i Shtabit të Operacioneve Speciale të NATO-s, detyrë që e përfundoi në janar të vitit 2021. Gjatë karrierës së tij, ai ka mbajtur poste të rëndësishme si Koordinator i Sigurisë së SHBA-ve për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez, si dhe ka shërbyer në struktura të ndryshme të larta ushtarake.
Në të kaluarën, Wendt ka qenë shef shtabi në Komandën e Paqësorit të SHBA-ve, komandant i Qendrës dhe Shkollës së Luftës Speciale “John F. Kennedy”, si dhe zëvendëskomandant në Komandën Rajonale Veri të misionit të NATO-s në Afganistan. Ai u emërua oficer në vitin 1986 përmes programit ROTC në Universitetin e Kalifornisë në Santa Barbara, ku përfundoi studimet në drejtësi dhe shoqëri, dhe më pas kreu master në çështjet e sigurisë kombëtare në Shkollën Pasuniversitare Detare. Ai doli në pension në mars 2021 pas një karriere të gjatë në ushtrinë amerikane.