Fluturime të humbura dhe radhë të pafundme: Sistemi i ri i BE-së sjell kaos në aeroportet evropiane

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 14.04.2026, 09:38

Mijëra udhëtarë nga vendet jashtë Bashkimit Evropian po përballen me radhë të gjata, vonesa të konsiderueshme dhe anulime fluturimesh në shumë aeroporte evropiane. Shkak është bërë zbatimi i sistemit të ri të kontrollit kufitar të BE-së, i njohur si EES (Sistemi i Hyrjes/Daljes), i cili kërkon regjistrim biometrik gjatë hyrjes dhe daljes nga zona Shengen.

Ky sistem parashikon mbledhjen e të dhënave biometrike, përfshirë gjurmët e gishtërinjve dhe fotografitë, për udhëtarët që vijnë nga vendet jashtë Shengenit, përfshirë edhe Mbretërinë e Bashkuar.

Gjatë fundjavës, radhë të gjata dhe vonesa u raportuan në disa nga aeroportet kryesore evropiane, si në Gjenevë, Lisbonë dhe Maltë. Probleme të ngjashme janë evidentuar edhe në qendra të mëdha si Brukseli dhe Holanda.

Sipas raportimeve të mediave, ndërprerjet vazhduan edhe më 13 prill. Pasagjerët në aeroportin e Brukselit dhe në Schiphol të Amsterdamit kanë raportuar në rrjetet sociale pritje deri në dy orë në kontrollet e pasaportave. Një udhëtar në Amsterdam përshkroi skena me të moshuar dhe familje me fëmijë të vegjël që prisnin në radhë, ndërsa shumë nga pikat automatike të kontrollit nuk funksiononin.

Në Milano, situata u përkeqësua edhe më shumë, ku disa pasagjerë raportuan se njerëzve u kishte rënë të fikët pas pritjeve deri në tre orë në kontrollin e pasaportave.

Kompania ajrore easyJet thuhet se vonoi një fluturim me 52 minuta për t’u dhënë kohë pasagjerëve të kalonin kontrollin, por për shkak të kufizimeve të orarit të ekuipazhit, avioni u nis me shumë vende bosh.

Situata ka detyruar shumë udhëtarë të kërkojnë alternativa për t’u kthyer në shtëpi, pasi disa prej tyre humbën fluturimet duke pritur në radhë. Një zëdhënës i easyJet konfirmoi se disa pasagjerë në Milano Linate kanë përjetuar pritje më të gjata se zakonisht dhe këshilloi që udhëtarët të paraqiten më herët në aeroport. Ai shtoi se kompania i ka kërkuar autoriteteve kufitare të përdorin fleksibilitetin e lejuar nga sistemi për të shmangur vonesa të tilla.

Nga ana tjetër, drejtori ekzekutiv i Ryanair, Michael O’Leary, e ka cilësuar zbatimin e sistemit si “kaotik” dhe “çrregullim”, duke pretenduar se BE-ja po “ndëshkon” udhëtarët britanikë pas Brexit-it.

Sipas tij, probleme të mëdha janë shfaqur që nga nisja fillestare e sistemit në tetor 2025, ndërsa zbatimi i plotë i tij ishte planifikuar të përfundonte në prill.

Si funkson sistemi EES? Sistemi i ri kërkon që udhëtarët nga vendet e treta të regjistrojnë të dhëna biometrike – një fotografi të fytyrës dhe gjurmë gishtash – gjatë hyrjes në zonën Shengen, e cila përfshin 29 vende evropiane.

EES zëvendëson vulosjen tradicionale të pasaportave me një sistem të automatizuar. Në regjistrimin e parë, skanohet pasaporta dhe merret fotografia, ndërsa për të rriturit dhe fëmijët mbi 12 vjeç regjistrohen edhe gjurmët e gishtave.

Megjithëse nuk kërkohet ndonjë përgatitje e veçantë nga udhëtarët, autoritetet këshillojnë që ata të mbërrijnë më herët në aeroport për shkak të vonesave të mundshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit