Tiranë: Operacion i gjerë kundër Call Center-ave, arrestime dhe sekuestrim parash cash

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 13.04.2026, 22:43

Një operacion i gjerë është zhvilluar nga Prokuroria e Tiranës dhe strukturat ligjzbatuese ndaj disa Call Center-ave që ushtronin aktivitet në kryeqytet, duke çuar në arrestime, sekuestrim të shumave të konsiderueshme parash cash dhe pajisjesh elektronike.

Sipas informacioneve paraprake, aksioni është shtrirë në tre ambiente të ndryshme, mes tyre një subjekt në Rruga e Kavajës dhe një tjetër pranë Kopshti Zoologjik i Tiranës.

Hetimi për këtë çështje ka nisur rreth dy vite më parë dhe është zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet e Austrisë dhe Gjermanisë, të cilat kanë referuar materiale hetimore për aktivitetin e dyshuar.

Deri në këtë fazë janë caktuar 8 masa sigurie, ndërsa disa persona janë vënë në pranga. Hetimet vijojnë edhe për persona të tjerë që dyshohet se kanë qenë pjesë e skemës.

Vetëm në ambientin e goditur në Rrugën e Kavajës janë konstatuar mbi 60 operatorë, të cilëve u janë sekuestruar telefonat celularë dhe pajisjet e punës, ndërsa aktualisht po merren në pyetje nga hetuesit.

Burime bëjnë me dije se ambienti operonte në tre kate, por në momentin e ndërhyrjes dy prej tyre janë gjetur të mbyllura, çka ka ngritur dyshime për një dekonspirim të mundshëm të operacionit. Në katin tjetër janë gjetur operatorët që vijonin aktivitetin.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar gjithashtu kompjutera, pajisje elektronike dhe shuma të mëdha parash cash, të cilat dyshohet se lidhen me aktivitetin e paligjshëm.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit