Oficeri i Policisë së Shtetit, Rezart Kuçi, dyshohet se ka përfituar pagesa nga një person në kërkim, për përdorimin e aplikacionit të enkriptuar Sky ECC. Sipas hetimeve, tarifat e këtij aplikacioni janë mbuluar nga shtetasi Ervis Matodashaj, i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit kundër grupit kriminal të Inez Hajrullës.
Në dosjen hetimore evidentohen implikimet e Kuçit në dhënien e informacioneve, favore kundrejt pagesave si dhe përfshirja e tij në veprimtari të paligjshme, përfshirë trafikimin e narkotikëve. Dokumenti përfshin gjithashtu disa nga episodet kryesore të trafikut të drogës dhe rastet e goditura në shtete të ndryshme.
Nga hetimet paraprake rezulton se Kuçi, në detyrën e oficerit të policisë gjyqësore dhe shefit të krimeve, ka krijuar një marrëdhënie të qëndrueshme bashkëpunimi me Matodashajn, i njohur për përfshirjen në aktivitete kriminale. Në këtë kuadër, Matodashaj dyshohet se ka kryer një pagesë prej 1200 eurosh për rimbushjen e llogarisë së Kuçit në Sky ECC, me qëllim përdorimin e saj për komunikime të fshehta të lidhura me veprimtari kriminale.
Sipas SPAK, Kuçi e ka pranuar këtë përfitim financiar dhe ka përdorur aplikacionin për të shkëmbyer informacione me persona të përfshirë në krim, duke e lidhur drejtpërdrejt këtë aktivitet me funksionin e tij si drejtues i sektorit të krimeve.
Pjesë nga përgjimet:
REZART KUÇI: Fol icik me atë të sky se më mbyllet sot
ERVIS MATODASHAJ: Po i shkruajta
Dhe Matodashaj i dërgon mesazhin që I ka nisur një kontakti të regjistruar me emrin
“SERVISI”: O vlla më bëj një ofertë 6 mujore të të nis lekët me fugon se jam në Vlorë
SERVISI: 5 minuta është gati