Presidenti amerikan Donald Trump ka përshkallëzuar edhe më tej tensionet me Iranin, duke paralajmëruar se çdo anije ushtarake iraniane që i afrohet zonës së bllokadës detare amerikane do të “eliminohet menjëherë”.
Kërcënimi vjen në momentin kur SHBA ka nisur zyrtarisht bllokadën detare ndaj porteve iraniane, pas dështimit të bisedimeve mes Uashingtonit dhe Teheranit në Pakistan. Sipas njoftimit të komandës ushtarake amerikane, masa hyri në fuqi të hënën në orën 14:00 GMT dhe përfshin të gjithë vijën bregdetare të Iranit.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump deklaroi se marina iraniane është “shkatërruar pothuajse plotësisht”, duke shtuar se vetëm disa mjete të shpejta sulmuese mbeten ende aktive.
“Paralajmërim: nëse ndonjë nga këto anije afrohet pranë BLLOKADËS sonë, do të ELIMINOHET menjëherë”, shkroi ai.
Nga ana tjetër, Irani e ka cilësuar këtë veprim si “pirateri” dhe ka paralajmëruar se bllokada nuk do të godasë vetëm ekonominë iraniane, por gjithë tregun global, veçanërisht çmimet e naftës dhe karburantit.
Ngushtica e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme të naftës në botë, mbetet pika kyçe e përplasjes, ndërsa çdo përshkallëzim i mëtejshëm rrezikon të tronditë tregjet ndërkombëtare dhe armëpushimin e brishtë mes palëve.