Lirohet administratori i “Orange Club”, dhe sa punëtorë duhet të humbin jetën që “vrasësit” të ndëshkohen

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 13.04.2026, 18:25

Vetëm pak ditë më parë, qyteti bregdetar i Sarandës u trondit nga një tjetër humbje tragjike. 31-vjeçari Igli Bakaj humbi jetën në rrethana që nuk lënë vend për justifikime: teksa kryente punime saldimi në ambientet e “Orange Club”, ai ra në kontakt me rrymën elektrike dhe vdiq në vend. Një vdekje që nuk ishte thjesht aksident, por një alarm i fortë për një sistem që vazhdon të dështojë.

Ngjarja, në mënyrë të pashpjegueshme, u mbajt e fshehur dhe doli në dritë vetëm një ditë më pas, duke shtuar edhe më shumë hijen e dyshimit mbi mënyrën si trajtohen raste të tilla. Vetëm pas dhjetra denoncimeve në JOQ u ndërmorën hapa, duke çuar në arrestimin e administratorit të lokalit. Por reagimi i drejtësisë ishte i shkurtër dhe zhgënjyes: vetëm tre ditë më pas, gjykata vendosi masën “detyrim paraqitje” me garanci pasurore, një vendim që për shumëkënd tingëllon si një tjetër shuplakë për drejtësinë.

Ndërkohë, një i ri humbi jetën duke kryer një punë që nuk i takonte, në kushte që nuk duhej të ekzistonin. Dhe sërish, institucionet zgjedhin të heshtin. Përgjegjësit realë nuk preken, ndërsa rasti rrezikon të zbehet mes procedurave dhe harresës.

Në qendër të akuzave është pronari i “Orange Club”, Spiro Iljadhi, për të cilin ngrihen dyshime të forta se mban përgjegjësi direkte për kushtet e punës që çuan në këtë tragjedi. Por kjo nuk është hera e parë që emri i këtij biznesi lidhet me humbje jete. Në gusht të vitit 2023, një tjetër ngjarje e rëndë ndodhi në të njëjtin ambient: 17-vjeçari Antonio Delia, kamarier, humbi jetën pasi u zu poshtë nga ashensori.

Dy jetë të humbura. I njëjti vend. I njëjti model neglizhence. Dhe sërish, askush nuk mban përgjegjësi.

Prokuroria e Sarandës duket e heshtur përballë këtyre ngjarjeve, ndërsa institucionet shtetërore vazhdojnë të mbyllin sytë. Në anën tjetër, aktiviteti vijon normalisht, fitimet rriten, ndërsa punëtorët mbeten të ekspozuar ndaj rrezikut, në kushte që shpesh sfidojnë çdo standard sigurie.

Pyetja që mbetet pezull është e thjeshtë dhe e rëndë njëkohësisht: sa jetë të tjera duhet të humbasin që përgjegjësit të dalin para drejtësisë? Dje ishte Antonio. Sot është Igli. Nesër, mund të jetë kushdo.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit