Hyseni dhe Kevi, dy të rinjtë që rrëmbyen biznesmenin për 500 mijë lekë

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 13.04.2026, 17:05

Publikohen fotot e Hysen dhe Kevin Nezës, dy të rinjve të arrestuar për rrëmbimin e një biznesmeni në Tiranë, ndërsa në kërkim është shpallur edhe Jurgen Neza, i dyshuar si bashkëpunëtor në të njëjtën ngjarje.

Sipas hetimeve paraprake, tre personat dyshohet se kanë marrë peng një biznesmen 32 vjeçar në zonën pranë ish-Parkut në kryeqytet, në momentin kur ai po largohej nga një lokal ku kishte konsumuar kafe.

Burime nga hetimi bëjnë me dije se autorët e kanë ndjekur lëvizjen e tij dhe, sapo ai ka hyrë në një rrugicë, i janë afruar të maskuar. Dy prej tyre, të identifikuar si vëllezërit Neza, dyshohet se mbanin maska dhe syze për të fshehur identitetin, ndërsa një tjetër ishte i maskuar me kapelë dhe syze.

Sipas akuzës, ata janë prezantuar si agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), duke përdorur këtë mashtrim për ta detyruar biznesmenin të hipte në automjet, me qëllim rrëmbimin e tij.

Hetimet tregojnë se viktima, i angazhuar në sektorin e ndërtimit dhe i kthyer së fundmi nga jashtë vendit, dyshohet se ka qenë i vëzhguar më herët dhe se lëvizjet e tij janë ndjekur për një periudhë kohe para ngjarjes.

Pas rrëmbimit, autorët i kanë kërkuar fillimisht 2 milionë euro, ndërsa më pas, pas refuzimit dhe dhunës fizike, shuma është ulur fillimisht në 1 milion euro dhe më pas në 500 mijë euro. Viktima është mbajtur gjatë natës në një magazinë në zonën e Xhafzotajt në Durrës, ku dyshohet se është ushtruar dhunë ndaj tij.

Ai është liruar në orët e para të mëngjesit, me kushtin që të siguronte paratë e kërkuara, ndërsa menjëherë pas lirimit është paraqitur në polici dhe ka kallëzuar ngjarjen, duke ndihmuar në identifikimin e autorëve.

Sipas hetimeve, identifikimi i tyre është bërë edhe përmes pamjeve të kamerave të sigurisë përgjatë itinerarit të lëvizjes, ku autorët shfaqen të maskuar dhe të veshur me rroba të zeza. Dyshohet gjithashtu se autorët kanë marrë informacion paraprak për viktimën nga persona ende të paidentifikuar, të cilët mund t’u kenë dhënë të dhëna mbi gjendjen e tij financiare.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit