Një situatë e pazakontë është regjistruar në Prishtinë pasi një qytetar nuk ka larguar makinën e tij tip “Range Rover” gjatë punimeve të asfaltimit, duke penguar përfundimin e tyre.
Sipas mediave lokale, automjeti i parkuar ka mbetur në vend edhe gjatë kohës kur po shtrohej asfalti, çka ka bërë që një pjesë e rrugës të mbetet e paprekur. Në pamjet e publikuara shihet qartë se asfalti i ri është vendosur përreth veturës, ndërsa hapësira ku ajo ishte parkuar nuk është asfaltuar.
Fotot e këtij rasti janë bërë virale në rrjetet sociale, duke nxitur reagime dhe komente të shumta nga qytetarët.
Ndërkohë pak orë pas asfaltimit në vendngjarje ka ndërhyrë një karrotrec, i cili ka larguar Range Rover-in nga vendi.