Skenar filmash në Tiranë: Biznesmeni merret peng për 2 mln euro, mbahet peng dhe dhunohet natën

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 13.04.2026, 15:20

Një ngjarje e rëndë, që të kujton skenarët e filmave, është regjistruar më 31 mars në qendër të Tiranës. Tre të rinj, vëllezërit Jurgen dhe Kevin Neza, përkatësisht 28 dhe 25 vjeç, së bashku me kushëririn e tyre Hysen Neza, 33 vjeç, kanë organizuar një pengmarrje me qëllim zhvatjen e një shume të madhe parash.

Viktima është një biznesmen ndërtimi 32-vjeçar nga Divjaka, me inicialet F. Sula. Sipas policisë, autorët kishin ndjekur prej kohësh lëvizjet e tij, pasi ai ishte kthyer në Shqipëri rreth dy muaj më parë. Ngjarja ka ndodhur pranë zonës së ish-Parkut, ku biznesmeni po konsumonte një kafe. Në momentin që i është drejtuar makinës, tre personat i janë afruar të maskuar dhe duke u prezantuar si agjentë të BKH-së, e kanë detyruar të hipte në automjet dhe e transportuan drejt një magazine në zonën e Xhafzotajt.

Fillimisht i kanë kërkuar 2 milionë euro, por pasi ai refuzoi duke deklaruar se nuk dispononte një shumë të tillë, e dhunuan fizikisht dhe ulën kërkesën në 1 milion euro. Edhe kjo shumë u refuzua nga 32-vjeçari, çka bëri që pengmarrësit ta zbresin shumën në 500 mijë euro.

Në fund, ata e liruan me kusht që të siguronte paratë. Biznesmeni u mbajt gjatë gjithë natës në magazinë, ku u keqtrajtua, dhe u la i lirë në mëngjes për të siguruar shumën e kërkuar.

Menjëherë pas lirimit, ai iu drejtua policisë dhe kallëzoi me detaje ngjarjen, duke ndihmuar në nisjen e hetimeve. Autorët u identifikuan përmes kamerave të sigurisë, pavarësisht se ishin të maskuar dhe të veshur me të zeza.

Në vijim, Policia e Tiranës ndërmori operacionin e koduar “Hijet”, gjatë të cilit u arrestuan Kevin Neza dhe Hysen Neza, ndërsa Jurgen Neza u shpall në kërkim. Gjatë operacionit u sekuestruan disa automjete luksoze, telefona celularë, para dhe sende të paligjshme që pritet të shërbejnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Sipas informacioneve, tre të dyshuarit janë persona me precedentë penalë për vjedhje dhe konflikte, si edhe të njohur për përdorim të lëndëve narkotike. Dy të arrestuarit nuk kanë dhënë ende deklarime para grupit hetimor.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit