Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) dosjen ndaj disa zyrtarëve të Bashkisë Divjakë, të akuzuar për shkelje në procedurat e prokurimit publik. Në bankën e të akuzuarve do të përballen Dorjan Spaho, Sara Xhepa (Doko), Rokled Malko, Fatos Veliu, Vojsava Leccini dhe Elbareta Nishica, të cilët dyshohet se kanë bashkëpunuar për të favorizuar operatorë të caktuar ekonomikë në tendera.
Sipas hetimeve, ndaj tyre rëndon akuza për veprën penale “shkelje e barazisë në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim. Prokuroria pretendon se të pandehurit kanë manipuluar procedurat, duke deformuar garën dhe duke cenuar parimet e konkurrencës së lirë, transparencës dhe trajtimit të barabartë të operatorëve pjesëmarrës. Këto veprime dyshohet se janë kryer përmes kritereve të përshtatura dhe ndërhyrjeve në procesin e vlerësimit të ofertave.
Dosja hetimore bën fjalë për tre procedura tenderimi të zhvilluara nga Bashkia Divjakë, me një vlerë totale që arrin rreth 1 milion euro. SPAK ka evidentuar parregullsi të shumta në këto procedura, të cilat sipas akuzës kanë sjellë përfitime të padrejta për subjekte të caktuara dhe dëm potencial për buxhetin publik. Çështja pritet të shqyrtohet nga GJKKO, ku do të vendoset mbi përgjegjësinë penale të secilit prej të pandehurve.