Një qytetar, banor i zonës së Don Boskos në Tiranë i është drejtuar redaksisë tonë për të denoncuar një situatë të rënduar që, sipas tij, po zgjat prej rreth një muaji dhe po rrezikon seriozisht shëndetin dhe jetesën e komunitetit.
Sipas denoncimit të qytetarit, prej katër javësh uji i rrjetit të furnizimit është përzier me ujërat e zeza, duke e bërë atë të papërdorshëm për çdo nevojë. Banorët pretendojnë se pas ankesave të tyre, autoritetet e UKT kanë marrë mostra për analiza dhe kanë konfirmuar se uji nuk është i përdorshëm.
Situata është përkeqësuar edhe nga punimet e vazhdueshme në zonë.
Qytetarët thonë se prej katër javësh po kryhen gërmime të përditshme me pretendimin e riparimit të tubacioneve, por sipas tyre rruga është lënë në gjendje të rënduar me gropa dhe pa zgjidhje përfundimtare, përmes ndërhyrjeve të përsëritura “hap e mbyll”.
Kulmi i problemit, sipas denoncimit, është arritur pak ditë më parë kur gjatë punimeve është dëmtuar tubi kryesor i ujit. Si pasojë, e gjithë rruga është përmbytur dhe është kthyer në një pellg të madh uji, duke e bërë zonën të pakalueshme.
Banorët shprehen se aktualisht janë pa ujë të pijshëm, mes ujërave të ndotura dhe përmbytjes në rrugë, duke ngritur shqetësimin për rrezik serioz për shëndetin publik.
Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente nga autoritetet përgjegjëse për zgjidhjen e situatës.
Denoncimi i qytetarit:
Pershendetje JOQ Denoncim URGJENT nga rruga Don Bosko Tirane
Dua te denoncoj nje situate skandaloze dhe emergjente me te cilen po perballemi prej nje muaji:
• Skandal me ujin e pijshem: Kemi 4 jave qe uji i rrjetit eshte perzier me ujerat e zeza Pas ankesave tona UKT erdhi mori kampionet per analiza dhe konfirmoi zyrtarisht qe uji eshte teresisht i paperdorshem per cdo lloj nevoje
• Shkaterrimi i infrastruktures: Prej 4 javesh po germojne cdo dite me pretendimin se po rregullojne tubacionin Na kane shkaterruar gjithe rrugen duke e lene gropa-gropa Bejne vetem punime hap e mbyll dhe asnje zgjidhje
• Emergjenca e sotme: Kulmi arriti sot Gjate ketyre punimeve te perditshme kane care tubin kryesor te ujit Per pasoje e gjithe rruga eshte permbytur plotesisht dhe eshte kthyer ne nje liqen te vertete
Jemi pa uje ne mes te pellgjeve dhe rrezikojme shendetin nga kjo papergjegjshmeri Ju lutem publikojeni qe te merren masa urgjente