Bela dhe oligarkët gllabëruan lekët e shqiptarëve, rruga në Shkozë s’rron as një vit

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 13.04.2026, 14:03

Në lagjen “Kostandin Shpataraku” në Shkozë, një rrugë e përfunduar vetëm një vit më parë sot është kthyer në simbol të dështimit dhe abuzimit me fondet publike. Pas reshjeve të para, asfalti është çarë, është fundosur dhe në shumë pjesë është zhdukur krejtësisht, duke e bërë kalimin të rrezikshëm dhe në disa segmente të pamundur.

Kjo nuk është thjesht një rrugë e dëmtuar. Ky është një punim i bërë keq që në themel. Rruga është shtruar pa u përgatitur toka, pa standardet minimale teknike, pa kontroll real. Rezultati? Një “investim” që nuk zgjati as një vit.

Ndërkohë, banorët përballen çdo ditë me pasojat, makina të dëmtuara, rrezik për aksidente dhe një shqetësim të madh për fëmijët që lëvizin në një rrugë të kthyer në kurth. Në një zonë të mbushur me familje, kjo nuk është më thjesht papërgjegjshmëri, është neglizhencë e rrezikshme.

Ajo që po ndodh në Shkozë nuk është përjashtim, por rregull. Segment pas segmenti, Unaza e Madhe po tregon të njëjtin model: punime që degradojnë shpejt, standarde të dyshimta dhe zero llogaridhënie.

Në krye të këtij skandali qëndron ish-misitrja e energjisë dhe infrastukturës Belinda Balluku dhe kreu i atëhershëm i ARRSH, Ervis Berberi të dy sot të pandehur nga SPAK, por pa asnjë llogaridhënie për skandalet e lëna pas.

Ndërkohë që qytetarët përballen me rrugë të shkatërruara, të njëjtët emra vazhdojnë të fitojnë tendera dhe miliona nga buxheti i shtetit. Bashkim Ulaj, Ilir Shtufi, Artan Sako, Paqsor Buzi, Sadik Ismailaj, Ismet Ismailaj, Rrok Gjoka dhe Salillari janë emrat që përmenden shpesh në këto projekte.

Pyetja është e thjeshtë dhe e drejtë, si është e mundur që rrugët shemben, por kontratat vazhdojnë të shpërndahen te të njëjtët përfitues?

Kur një rrugë prishet brenda një viti, nuk kemi të bëjmë me fatkeqësi natyrore. Kemi të bëjmë me dështim, me mungesë kontrolli dhe me një sistem që nuk mban askënd përgjegjës.

Shkoza sot nuk është thjesht një lagje me problem infrastrukture. Është një alarm publik. Një provë konkrete se si fondet publike mund të shpërdorohen, ndërsa qytetarët lihen të përballen me pasojat.

Banorët nuk kërkojnë luks. Ata kërkojnë një rrugë normale. Por edhe kjo duket shumë, në një realitet ku rrugët ndërtohen për t’u inauguruar… jo për të zgjatur.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit