Gjykata e Tiranës ka shpallur zyrtarisht në kërkim ndërkombëtar 49-vjeçarin palestinez Fadi Alwan, i akuzuar për vrasjen e vajzës së tij, 22-vjeçares Rayyan Alwai. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në shkurt të vitit 2025 në kryeqytet.
Vendimi është marrë pasi autoritetet libaneze refuzuan ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, edhe pse ai u arrestua në Liban më 23 prill 2025. Përmes një shkrese të datës 18 shtator 2025, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bëri me dije se Republika e Libanit nuk pranoi dorëzimin e të dyshuarit.
Pas krimit, drejtësia shqiptare kishte caktuar ndaj Alwan masën e sigurisë “arrest në burg” për akuzën e “vrasjes për shkak të rrethanave familjare”, por kjo masë mbeti e pazbatueshme për shkak të mungesës së ekstradimit, duke çuar në shpalljen e tij në arrati.
Trupi i pajetë i 22-vjeçares u gjet në një apartament të marrë me qira ditore në Tiranë. Hetimet zbuluan se ajo kishte hyrë në Shqipëri nga Rinasi më 19 shkurt së bashku me të atin, ndërsa ky i fundit ishte larguar i vetëm nga vendi më 22 shkurt 2025.
Sipas të dhënave, babë e bijë kishin mbërritur si turistë dhe kishin prenotuar biletat vetëm disa orë para udhëtimit. Pasi mbërritën, ata u akomoduan në një banesë me qira në rrugën “Gjon Muzaka”. Natën e parë qëndruan në katin e parë, ndërsa më 20 shkurt u zhvendosën në katin e tretë të vilës, ku dyshohet se ndodhi krimi.
Motivet e ngjarjes mbeten ende të paqarta. E reja, nënë e tre fëmijëve, ishte e divorcuar dhe jetonte një jetë të re në Gjermani. Dyshohet se përplasjet me familjen, për shkak të stilit të saj të jetesës dhe afrimit me kulturën perëndimore, mund të kenë ndikuar në konfliktet e vazhdueshme. Madje, ajo kishte bërë edhe kallëzim në polici në Gjermani për probleme familjare.
Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu mundësinë e përfshirjes edhe të nënës në planifikimin e krimit, por deri më tani nuk ka prova të mjaftueshme që ta mbështesin këtë pistë.
Ndërkohë, trupi i pajetë i të resë qëndroi për muaj me radhë në morgun e Tiranës dhe vetëm pak ditë më parë u tërhoq nga një avokat i ardhur nga Libani. Ceremonia mortore u zhvillua në Gjermani, ku ajo u përcoll për në banesën e fundit nga dy vëllezërit e saj.