Pas publikimit të denoncimit në JOQ, çështja mes një qytetareje dhe një personi që pretendohej se paraqitej si “drejtoreshë pranë ABI Bank” është zgjidhur brenda vetëm 30 minutash. Sipas qytetares, shuma e pretenduar si detyrim financiar është kthyer menjëherë pas publikimit të rastit, i cili kishte mbetur i pazgjidhur prej më shumë se 16 muajsh dhe ishte shoqëruar me mungesë komunikimi mes palëve.
Denoncuesja kishte deklaruar më herët se gjithçka kishte nisur në mirëbesim, për shkak të njohjes së saj si kliente e biznesit ku ajo punonte, ndërsa pretendonte se pas marrjes së shumës, kontaktet ishin ndërprerë plotësisht për një periudhë të gjatë. Sipas saj, gjatë këtyre 16 muajve janë bërë përpjekje të përsëritura për zgjidhjen e çështjes në mënyrë private, por pa asnjë reagim konkret nga pala tjetër.
Vetëm pas publikimit në JOQ Albania, situata ka marrë kthesë të menjëhershme, ku e denoncuara ka kthyer shumën e pretenduar, duke mbyllur kështu konfliktin financiar mes palëve. Qytetarja e ka konsideruar këtë si një shembull se si transparenca publike mund të ndikojë në zgjidhjen e rasteve të bllokuara prej kohësh, ndërsa çështja tashmë konsiderohet e mbyllur.