Shqipëria kundër trendit europian: Makinat me naftë dominojnë në rrugë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 13.04.2026, 09:28

Ndërkohë që në pjesën më të madhe të Europës përdorimi i makinave me naftë është në rënie, në Shqipëri ato vazhdojnë të dominojnë regjistrimet e reja, duke e bërë tregun më të ndjeshëm ndaj luhatjeve të çmimeve të karburantit.

Të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) tregojnë se gjatë tremujorit të parë të vitit 2026 u regjistruan për herë të parë rreth 17.7 mijë automjete, nga të cilat afro 59% ishin me naftë.

Ky nivel mbetet ndër më të lartët në Europë. Sipas Eurostat, në vitin 2024 vetëm rreth 15% e makinave të reja në Bashkimin Europian përdornin naftën. Pas Shqipërisë renditen Moldavia dhe Bosnjë-Hercegovina, me përkatësisht 47% dhe 44%.

Megjithatë, krahasuar me vitin 2024, kur makinat me naftë përbënin 66% të regjistrimeve të reja në vend, vihet re një rënie me rreth 6 pikë përqindje, edhe pse pesha e tyre mbetet ende shumë e lartë.

Sipas Monitor në Europë, tregu i makinave të reja dominohet nga automjetet me benzinë, që zënë rreth 60% të regjistrimeve. Ndërkohë në Shqipëri, makinat me benzinë përbënin vetëm 18% të totalit të regjistrimeve në tre muajt e parë të vitit 2026.

Një prirje pozitive këtë vit është rritja e automjeteve elektrike, të cilat arritën në 13% të regjistrimeve për periudhën janar–mars, një nivel i krahasueshëm me mesataren europiane të vitit 2024.

Të dhënat e Eurostat për periudhën 2014–2024 në 20 vende të BE-së tregojnë një ndryshim të qartë në preferencat për llojin e motorëve. Gjatë kësaj kohe, numri i makinave me naftë (përfshirë hibride) ka rënë me 67%, ndërsa ai i makinave me benzinë (po ashtu me hibride) është rritur me 60%. Një nga arsyet kryesore ishte skandali i vitit 2015 i njohur si “Dieselgate”, kur u zbulua se Volkswagen kishte manipuluar testet e emetimeve për miliona automjete.

Ndikim kanë pasur edhe faktorë ekonomikë: rritja e taksave, ngushtimi i diferencës së çmimeve mes naftës dhe benzinës, si dhe orientimi i prodhuesve drejt elektrifikimit.

Si pasojë, makinat me naftë po humbasin terren në mënyrë të vazhdueshme në tregun europian, veçanërisht në segmentin e automjeteve të reja.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit