Një ngjarje rrëqethëse është regjistruar në qytetin Maceió, në Brazil, ku një adoleshent pësoi goditje elektrike teksa po luante futboll, por u shpëtua falë reagimit të menjëhershëm dhe heroik të shokut të tij.
E gjithë skena është filmuar nga kamerat e sigurisë të një fushe sportive dhe pamjet tregojnë momentet dramatike të ndodhura më 2 prill. Dy të rinjtë shihen duke luajtur me top, derisa njëri prej tyre afrohet pranë një porte me qëllim për ta mbyllur.
Në atë moment, ai pëson një goditje elektrike dhe mbetet i ngjitur, pa mundur të shkëputet. Situata bëhet menjëherë alarmante, ndërsa shoku i tij vëren çfarë po ndodh dhe tenton t’i vijë në ndihmë.
Siç shihet dhe në pamjet e bëra virale në rrjet, edhe ai ndien rrymën në kontaktin e parë dhe tërhiqet menjëherë, por më pas reagon me shpejtësi: me një goditje në këmbë arrin ta largojë mikun e tij nga burimi i energjisë, duke i shpëtuar jetën.
Pas momentit të frikshëm, të dy adoleshentët largohen të tronditur, por jashtë rrezikut, në një incident që mund të kishte përfunduar në tragjedi.
Ngjarja është vlerësuar gjerësisht në mediat lokale si një akt i guximshëm dhe vendimtar nga ana e shokut, reagimi i të cilit shmangu pasojat fatale.