Një incident i rëndë raportohet të ketë ndodhur mbrëmjen e sotme pas përfundimit të ndeshjes mes Vllaznisë dhe Teutës, e zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi”, e vlefshme për javën e 31-të të Kategorisë Superiore.
Pamje të mbërritura në redaksinë tonë nga një qytetar tregojnë momente tensioni si brenda ashtu edhe jashtë stadiumit, ku raportohet se ka pasur përplasje mes tifozëve të Vllaznisë dhe atyre të Teutës.
Sipas qytetarit që ka dërguar videon, pas përfundimit të takimit disa tifozë shkodranë dyshohet se kanë sulmuar tifozët durrsakë, duke lënë të paktën 5 prej tyre të plagosur. Denoncuesi pretendon se disa prej të lënduarve kanë pësuar fraktura në kokë, megjithatë ky informacion mbetet ende i pakonfirmuar zyrtarisht.
Ai ngre gjithashtu shqetësime edhe për menaxhimin e situatës nga policia, duke pretenduar se forcat e rendit nuk kanë marrë masat e duhura për të parandaluar përshkallëzimin e tensioneve. Sipas tij, ekzistojnë dyshime se tifozët vendas janë lejuar të lëvizin lirshëm pas ndeshjes.
Nga sa pretendohet, shkaku i acarimit të situatës mund të lidhet me tensionet e mëparshme mes dy tifozerive, të raportuara edhe në ndeshjen e luajtur disa muaj më parë në Durrës.
Ndërkohë, takimi në fushë u mbyll me fitoren minimale 1-0 të Vllaznisë, rezultat që përforcon vendin e parë të kuqebluve në renditje me 59 pikë, 5 më shumë se Egnatia dhe 6 më shumë se Elbasani. Nga ana tjetër, Teuta mban vendin e gjashtë me 38 pikë, jashtë zonës së rrezikut për rënie.
Pritet një reagim zyrtar nga policia dhe klubet për të sqaruar plotësisht rrethanat e incidentit.